PËLLUM XHUFI, KA TË DREJTË, KUR FLET PËR KAMPIN E TEPELENËS .

Printo

PËLLUMB XHUFI, KA TË DREJTË, KUR FLET PËR KAMPIN E TEPELENËS .

 

Njeriu i ditur i jep nder vetes kur e thotë të vërtetën; edhe historiani ynë këtë bëri. Mos u çuditni! Unë që po shkruaj kam qenë në atë kamp nga fillimi, kur shkuam nga Berati deri ne 54-ën, kur ai kamp i mallkuar u shkri. Mbaj mend çdo gjë dhe çdo pëllëmbë të atij vendi. Gjynah të qahemi, s’na paska munguar asgjë, por, si duket, ne paskemi harruar; ata që nuk kanë qenë atje, e ditkan më mirë, madje edhe ata që nuk kishin lindur në atë kohë.

Njerëz të pa njohur që flisnin dialekte dhe gjuhë të ndryshme, burra, gra, fëmijë e të vjetër, të sëmurë psikik e sakatë, intelektualë e të pashkollë i grumbulluan në këto kazerma të mëdha me katër radhë krevatesh. Na vendosën partizançe. Si lopët në stalla flinin radhë familje pas familjeje në ato krevate pa shkëputje. Ky ishte “kampi i pushimit” të Tepelenës, ku këta njerëz, duhet të mësoheshin të bashkëjetonin me njëri-tjetrin në mungesë të lirisë dhe me rregullat e ashpra të burgut; por ky nuk ishte një burg sido-kudo, jo, jo, ky ishte burg familjar; aty kishte njerëz nga një vjeç deri dhe nëntëdhjetëvjeçarë, që me zor lëviznin.

I rrethuar me tela me gjemba, ruheshin me roje të armatosur. Kjo ishte jeta e këtyre njerëzve të quajtur fajtorë edhe pse nuk kishin bërë asgjë dhe nuk ishin të dënuar me ndonjë vendim gjykate.

Puna e pare e këtyre njerëzve ishte të grumbullonin predhat që avionët e pushtuesve tanë – për të mos vrarë njerëz të pafajshëm, – nuk i kishin hedhur në qytet, por në pyllin e Bençës. Nën vëzhgimin e rojeve të armatosura, burra e gra, fëmijë e të vjetër grumbullonim predha. U bënë aq stiva sa ai vend dukej si fushë drush. Shumë u vranë nga ato të mallkuara, sidomos fëmijë. Shteti ynë, garanti i të drejtave të të gjithë shtetasve, na vuri ne që të vriteshim.Kjo ishte arsyeja sepse për mbledhjen e tyre duheshin njerëz të specializur për atë punë. Edhe fusha brenda rrethimit ishte e minuar. Shteti ynë nuk e kishin çminosur para se të na grumbullonin aty. Ato të mallkuara shpërthenin herë pa herë poshtë këmbëve tona. Secila prej tyre merrte jetë njerëzish. Ky ishte qëllimi: njerëzit të vriteshin dhe fajtorë të mos kishte.

Më 1949 kampi ynë u mbipopullua me tjerë. Në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Bardhok Bibës, internuan shumë mirditorë. U detyruam të ngushtoheshim së tepërmi, sa vështirësi kishim të rrotulloheshim natën. Këta ndenjën deri në vitin 1951.

Ditën që u liruan mirditorët, vetëm ata që u internuan për vrasjen e Bardhok Bibës, në momentin kur po hipnin në makina, një djalë që vinte me vrap nga banjot, me gëzim se u lirua, i plasi mina poshtë këmbëve.  Prej atij djali dy a trembëdhjetë vjetësh vetëm një gjysmë çorapi gjetën, asgjë tjetër.

Në 2015, kur shkuam te kampi i  Tepelenës, një grua nga Mirdita këtë copë çorapi e kishte me vete, si dëshmia më e hidhur e atij vendi. Eh, ç’janë kujtimet e vegjëlisë, ato nuk shlyhen kurrë nga kujtesa jonë, ato janë si themeli i shtëpisë që edhe nëse shtëpia shembet, themelet janë të gatshëm të ngrihen mure tjera, edhe vuajtjet e këtyre njerëzve, veçse përsëriteshin nga koha në kohë, gjithnjë më të vështira por, Tepelenën, nuk mund ta harrojmë.

Pasi mbaroi kjo punë e mallkuar që u pagua me jetë njerëzish, nënat tona, duhet të bënin dy rrugë të ngarkuara me dru nga mali i Luzatit, nënë vëzhgimin e policëve të vrejtur, me armë në krahë. Furnizonin mensat, furrat dhe zyrat e qytetit, edhe të kampit- këtu ne, na kishin çu për të bërë “qejf”.  Për të ngrënë na jepnin vetëm 400 gram bukë misri thatë. Deri në pesëdhjetën mblodhën fundërinat e magazinave: makarona, bollgur e ndonjë gjë tjetër, të gjitha me krimba. Na jepnin nga dy garuzhde ku gjeje a s’gjeje dy-tre fije makarona apo kokrra orizi, po për ne, edhe ai lëng i pështirë, nga ura, na dukej i mirë.

Por, kishte edhe më keq: në 1950, një ditë, nuk na çuan në punë, na nxorën në fushë që në mëngjes, nuk kuptonim çfarë prisnim, afër drekës erdhën ca makina me të internuar tjerë nga Cerriku. Ata i rreshtuan veç nesh. Pastaj thirrën të gjithë ata që ishin në moshë pune nga kampi ynë, i hipën në makinat që prunë tjerët. Dita e ndarjes ka qenë dita më e zezë; nënat qanin se po linin fëmijët në mëshirë të fatit, fëmijët ulërinin kur prindërit i hipnin në makinat, ishte tamam si kur ndanin shqerrat nga delet, po me një ndryshim, se për shqerrat kujdesej e i kulloste bariu, kurse për ne fëmijët, pleq e të sëmurët, nuk kishte më kush të kujdesej.

Ata që erdhën nga Cerriku tregonin se gjatë rrugës kishte ndërruar jetë një plak me mbiemër Lepenica. Buzë një përroi i kishin urdhëruar ta zbritnin nga makina dhe e kishin mbuluar me shkarpa. Me thonj do e hapnim një gropë sa ta mbulonim, por nuk na lane – thoshin.

Tani, në mungesë të prindërve, fëmijët e hanim atë pak bukë që në mbrëmje dhe do pritnim kur të merrnin racionin mbrëmjen tjetër, të hanim, se nuk kishte prind të na e raciononte. Por, “bujaria” e shtetit nuk mbaronte, kishte punë edhe për ne të vegjlit kur vinim nga shkolla, na vinin të pastrojmë gurët, kur plugohej ekonomia ndihmëse e repartit. Ishte punë e rëndë për ne, ti nxirrnim nga dheu dhe  t’i largonim me tezgë nga ara, ne ishim të vegjël e të pangrënë dhe nëse nuk kënaqej polici që na ruante, na dënonin me birucë ose na prisnin racionin e bukës.

Sot duket e pabesueshme, por jemi akoma mjaft ne, që akoma jetojmë dhe i mbajmë mend këto mizori të atij kampi “dëfrimi” si thotë historiani i “nderuar” shoku Xhufi. Kur ishim në Turan, ishin varret e italianëve shumë të rregullt, kurse në kampin e Beçës ata që u vranë nga predhat ose nga minat që ishin të mbuluar në fushën para kazermave, nga sëmundjet apo pleqëria, të cilët varroseshin, xhelati, mëkëmbësi i komandantit të madh, toger Hakiu, çdo pranverë, i plugonte.

Pra, ne shqiptarët nuk duhet të kishim as varre. Spas historianit, lumturia paska qenë se ato kazerma paskan qenë me mur prej tullash po, ç’rëndësi kishte për ne se ishin me tulla, ne ankoheshim për trajtimin jo për muret. Në fund, të vdekurit  i varrosën te ura Bençës, atje i lamë, kur na larguan nga ky kampi i “qejfit”, por  më vonë, edhe këta i kishin prishur dhe e dini pse? Siç më tregonte një plak vendali, në 2010-tën, kur kthehesha nga Greqia, dhe  shkova t’i shikoja varret e moshatarëve të mi – plaku kulloste delet aty. Ai më pyeti për ça interesohesha. I thashë se këtu ka pas ca varre… Si më tha:

– Po si mund rrinin ato varre aty more djalë?

– Pse? – i thashë unë.

– Se ata varre ishin dëshmi për egzistencën e atij burgu.

Kur po shkonte Enveri ynë i “dashur” në Gjirokastër, kishte pyetur:

– CC’janë këto varre këtu mo?

– Janë të atyre të kampit, – i kishin thënë.

– Bah!- kishte bërë.

– Po përse nuk i kanë prishur akoma? Kur të kthenemi nga Gjirokastra, nuk dua t’i shikojmë më këtu, më kupton apo jo? I plugoni që mos u duket nam as nishan. Armiqtë tanë, – kishte thënë – edhe në varr do t’i ndjekë ndëshkimi ynë! Dhe brenda asaj dite i pluguan, – tha plaku

 

Këta ishin sundimtarët e padinjitet që hakmerreshin ndaj të pambrojturve, të pafajshmëve –  me motivin, vetëm se këta ishin fëmijë, nipa, stërnipa apo kushërinj të “armiqve”. dmth, këta ishin të dënuar bedela.

Vetëm në Shqipërinë “demokratike” socialiste apo Shqipërinë lule kishte tillë. Ne duhet të falënderojmë historianin që na e kujtoj atë rehatllëk që ne nuk e paskemi ditur. Po, si intelektual që është Pëllumbi, të mbyllë sytë për disa minuta, ta imagjinoj sikur të përsëritej ajo histori e dhimbshme dhe ky, të ishte në moshën tonë, në atë kamp “rehatllëku”, me nënë, motër e të tjerë, të vuante si ne, vetëm se është djali, nipi, kushëriri apo dhëndër atje ku është, dhe të jetonte në ato kushte që jetuam ne, si do mund të fliste sot vallë? Pëllumbi është një nga historianët më të mirë, në mbrojtje të së vërtetës!

 

 

 

 

 

Pëllumb Xhufi

 

 

 

 

 




Shkruan Shefqet Dobra

 

 

Updated: April 6, 2018 — 5:52 am

Lini një koment

Etimologji © 2018